TBO SportKërko
Lajmet e ditës

Bellingham hapet për shëndetin mendor: “U përpoqa të ruaja imazhin se nuk kam nevojë për askënd”

Jude Bellingham reflekton mbi shëndetin mendor dhe rëndësinë e kërkimit të ndihmës. Lojtari i Real Madridit, ambasador i Laureus, nxit thyerjen e stigmës dhe shfaqjen e cenueshmërisë për të frymëzuar të tjerët.

11.10.20253 min lexim

Bellingham hapet për shëndetin mendor: “U përpoqa të ruaja imazhin se nuk kam nevojë për askënd”

 

Jude Bellingham, ylli i Real Madrid dhe një nga futbollistët më me ndikim të brezit të tij, ka treguar sërish se udhëheqja e tij shtrihet përtej fushës. Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, anglezi ndau një reflektim të thellë mbi rëndësinë e pranimit të cenueshmërisë dhe kërkimit të ndihmës kur është e nevojshme.

Lojtari, i emëruar së fundmi ambasador i Laureus, organizatës që nxit zhvillimin e të rinjve përmes sportit, shkroi një letër të hapur ku foli pa rezerva për procesin e tij të pjekurisë dhe njohjes së vetes.

“E di se ka pasur çaste kur jam ndier i cenueshëm, kam dyshuar te vetja dhe kam pasur nevojë për dikë me të cilin të flisja. Por, në vend që ta bëja, përpiqesha të ruaja atë imazhin e sportistit maço që thotë ‘nuk kam nevojë për askënd’. E vërteta është se kam, si të gjithë. Dhe ndihesh shumë më mirë nëse flet për ndjenjat dhe emocionet e tua”, rrëfeu Bellingham për Laureus.

Të mësosh të shkëputesh nga zhurma

Mesfushori i ri kujtoi edhe kohën te Birmingham City, kur sapo niste karrierën profesionale. Atëherë kërkonte shpesh emrin e tij në rrjetet sociale për të lexuar gjithçka që thuhej për të.

“Kur isha lojtar i ri në Birmingham, shkruaja emrin tim në Twitter dhe lexoja gjithçka që thoshin. Por, edhe kur komentet ishin pozitive, shpejt vendosa: pse t’i lejoj mendimet e njerëzve që nuk më njohin të përcaktojnë çfarë mendoj për veten?”, shpjegoi ai.

Bellingham pranoi se ekspozimi i vazhdueshëm në mjedisin digjital mund të jetë i rrezikshëm:

“Me zhvillimin e rrjeteve sociale dhe teknologjisë, ka më shumë mënyra për ta sulmuar dikë dhe për ta bërë të ndihet keq. Mendoj se ende ka stigmë rreth të folurit për shëndetin mendor.”
“Ka mjaft negativitet dhe presion në sportin profesionist pa pasur nevojë që ta kërkoj vetë. Tani, kur lexoj komente negative, nuk më ndikojnë, por prapë parapëlqej të mos i shoh”, shtoi ai.

Një zë që frymëzon të rinjtë

Lidhja e Bellinghamit me Laureus nisi në prill 2024, kur u shpall Zbulimi Botëror i Vitit në Laureus World Sports Awards. Në shtator u emërua zyrtarisht ambasador global i fondacionit, me misionin “të përdorë sportin për t’i ndihmuar të rinjtë të kapërcejnë dhunën, diskriminimin dhe pabarazinë”.

“Si sportistë, duket sikur e kemi botën në këmbët tona: mund të bëjmë çfarë të duam, të fitojmë shumë para dhe të mos ndikohemi. Por në të vërtetë, nëse arrijmë ta tregojmë cenueshmërinë tonë, hapim një dialog më të gjerë për njerëzit që luftojnë në errësirë. Është detyra jonë, si figura publike, të jemi shembuj”, përfundoi mesfushori i Real Madridit.

Në moshën 20-vjeçare, Bellingham jo vetëm udhëheq në fushë, por po bëhet edhe një nga zërat më të pjekur e frymëzues të futbollit botëror.

Lexo gjithashtu

Kthehu te faqja kryesore

Mund të të pëlqejnë edhe

Sponsorizuar